Mbiemër me prejardhje krahinore. Lidhet me fshatin Babrru, dikur i ndodhur në bregun e djathtë të Lumit të Tiranës (lumi Tërkuzë), jashtë vijës së verdhë të kryeqytetit. Përcakton tipin e mashkullit garip, që s’ia përton kujtdo që i shkel në kallo. Babrrojsi ka ekzistuar para pellazgut (shih tek pellazg) dhe ishte personifikimi i forcës mashkullore të pakultivuar. Me kalimin e kohës dhe pas ndryshimeve demografike që pësoi qyteti i Tiranës, babrrojsit shitën tokat e tyre, u shpërngulën brenda vijës së verdhë dhe u asimiluan me popullsinë vendase, apo emigruan jashtë shtetit. Nga babrrojsi i dikurshëm sot ka mbetur vetëm emri, pasi edhe ura pasarelë, personifikimi i fshatit Babrru dhe i banorëve të tij, sot është zëvendësuar nga një urë e palëvizshme betoni.