Sevaplije

Gjatë kohës së komunizmit ishte ajo, që s’e kishte problem të shkonte me të gjithë, kryesisht ishte punonjëse në qendrat e punës. Ndryshe femra e kollajshme, që ua linte (thuajse) të gjithë atyre që ia lypnin, që s’prishte qejf dhe bënte sevap.

-Oooo, ajo është sevaplije e madhe. I nderoi çunat! 

 

Bythëlëvizur

1. Njeri shumë i lëvizur, që nuk rri në një vend.

-Na çmendi është bythëlëvizur, na veshi sytë lart e poshtë nëpër shtëpi.

2. Njeri i paqëndrueshme në një lidhje dashurore, që zë dashnore/ë

-Po pra, është pak kshu si bythëlëvizur, i ka edhe nja dy të tjerë

3. Njeri që ndërron shpesh vendin e punës

-Shumë bythëlëvizur je, s’i bëre dy vjet rresht në një punë…

Loqemicin

Fjalëformim i zhargonit të Tiranës, me burim nga farmakologjia. Përdoret kur personi nuk kupton fare, por merr kuptim të dyanshëm dhe shumë ironik, pasi me konstatimin loqemicinë vjen tërthorazi edhe mundësia e shërimit. Paraqet mundësi të mëdha në rikrijime shumë pjellore si “loqemicinizim”, “loqemicinologji”, analoge me vulgaret “karepsje”, “loqepsje” etj.

Është i smut’ fare, loqemicinë

Vili

Shkurtim i fjalës “servili”. Ka kuptim të njëjtë me servil, pra njeri bythëlëpirës dhe të përulur ndaj më të mëdhenjve apo eprorëve me pushtet.
Bëjnë gjithçka duhet për të arritur qëllimet e veta.

– Ai është aq servil, sa nuk kursen as b…

– Me vili-vili ka ecur ai përherë

Flas

1-Në gjuhën e bixhozit përdoret për të treguar kush ka rradhën apo kush është i detyruar, i sfiduar të vazhdojë lojën.

-Hajde foli nji çik asit ktu! Si zonjat t’m’i flasësh!

2-Rrëkëllej gotën ose provoj një ushqim, pije, etj.

– Foli pak mezes foli, se ka shkri talentin kulinar Lakja sot!
-Ka shkri kët timin, konserva ka hap!

3-Në bixhoz, sidomos kur luan ortakshe, kur thua diçka ose bën shenjë për t’i lënë ortakut të kuptoj se ku duhet të luajë.

-Nuk e kishim kshu, mos e fol lojën.

Bllok kujtimesh

Zakonisht një fletore shkrimi, pak më e trashe se ato të detyrave, ku nxënësit e klasës shkruanin mendimet e tyre rreth teje (që përgjithësisht orientoheshin drejt komplimenteve), përmendnin ndonjë episod qesharak të përbashkët, shkruanin citate klishe dhe ngjisnin foto të prera nga revista të huaja, nuk mungonin dhe ndonjë palë buzë me buzëkuq apo zemra me stilolaps të kuq.

Përgjithësisht kryhej gjatë vitit të fundit të studimeve në shkollën përkatëse, klasa e tetë ose viti i katërt në gjimnaz. Filloi të rrallohej pas viteve ’90.

-Uaaaa po ti s’ke shkruar akoma te blloku im.
-Boje o plak ‘i bllok kujtimesh t’shkrujn’ gjithë pjeshkat e klasës.

Axhalé

Nxitim ose ngutje për të bërë një punë apo për të shkuar diku, si pasojë e ndonjë halli ose problemi.

Sot ndodh që të shohim shpesh rrugëve shoferë që ecin me axhalé, po që jo rrallë i gjen parkuar në kanale, ledhe, apo në ndonjë shtyllë buzë rrugës.

– E kishte me axhalé.