Axhalé

Nxitim ose ngutje për të bërë një punë apo për të shkuar diku, si pasojë e ndonjë halli ose problemi.

Sot ndodh që të shohim shpesh rrugëve shoferë që ecin me axhalé, po që jo rrallë i gjen parkuar në kanale, ledhe, apo në ndonjë shtyllë buzë rrugës.

– E kishte me axhalé.

Apsaq

Term teknik i përdorur në futboll lagjieje. Fjala e saktë në anglisht është “offside”, përkthyer shqip “pozicion jashtë loje”. Përhapur si fjalë në kohët kur anglishtja nuk përtypej ende mirë nga shqiptarët.

Aqif Kopertoni

Një personazh mitik, fort i njohur në Tiranë, nga gjeneralitetet e të cilit dimë vetëm emrin dhe mbiemrin. Ka qenë shok shkolle me Aspi Karralloin (shih: Aspi Karalloi), por jo shok klase, sepse ka qenë më i vogël në moshë. Aqif Kopertoni ka qenë i shquar për personalitetin e tij që nuk ia përfillte askush, objekt talljesh dhe vëniesh në lojë. Në fakt, ky emër sot përdoret për të talluar apo vënë në lojë dikë, por me klas dhe pa ndyrë gojën. Shkurt thërritet dhe Qife.

Shënim: Qife të mos ngatërrohet me Qifen e Elbasanit. Ky i fundit është një personalitet i nderuar, Aqif Pashë Elbasani (Aqif Biçakçiu), patriot dhe veprimtar në dobi të lëvizjes për pavarësi, prefekt i Elbasanit pas shpalljes së Pavarësisë dhe Ministër i Brendshëm në qeverinë e Princ Vidit.

Aspi Karralloi

Emër i përveçëm. Aspi Karralloi është një personazh mitik, i lindur dikur pas Luftës së Dytë Botërore, por i pa regjistruar në asnjë regjistër lindjeje.

1. Përkufizon personin mendjelehtë, që nuk e vë ujin në zjarr për asgjë,  duke i bën dëm vetes dhe të tjerëve.

2. Përkufizon edhe njeriun që bën sikur di gjithçka, por në fakt nuk di asgjë. (Për antonim, shih përkufizimin 3).

3. Përkufizimi 3 është antonim i përkufizimit 2. Nënkupton njeriun që di gjithçka, por që shtiret sikur s’di asgjë, zakonisht për të rrëshkitur (shih: rrëshkas) nga një situatë e pakëndshme, për të cilën duhet të mbajë përgjegjësi.

Shkurt përdoret edhe si aspi apo karrallo.

– Mos boj si aspi.
– E kisha me aspi (nuk e kisha me gjithë mend).
Iku karralloi, dhe s’mi solli çelsat, ngela përjasht.