Bythëlëvizur

1. Njeri shumë i lëvizur, që nuk rri në një vend.

-Na çmendi është bythëlëvizur, na veshi sytë lart e poshtë nëpër shtëpi.

2. Njeri i paqëndrueshme në një lidhje dashurore, që zë dashnore/ë

-Po pra, është pak kshu si bythëlëvizur, i ka edhe nja dy të tjerë

3. Njeri që ndërron shpesh vendin e punës

-Shumë bythëlëvizur je, s’i bëre dy vjet rresht në një punë…

Bllok kujtimesh

Zakonisht një fletore shkrimi, pak më e trashe se ato të detyrave, ku nxënësit e klasës shkruanin mendimet e tyre rreth teje (që përgjithësisht orientoheshin drejt komplimenteve), përmendnin ndonjë episod qesharak të përbashkët, shkruanin citate klishe dhe ngjisnin foto të prera nga revista të huaja, nuk mungonin dhe ndonjë palë buzë me buzëkuq apo zemra me stilolaps të kuq.

Përgjithësisht kryhej gjatë vitit të fundit të studimeve në shkollën përkatëse, klasa e tetë ose viti i katërt në gjimnaz. Filloi të rrallohej pas viteve ’90.

-Uaaaa po ti s’ke shkruar akoma te blloku im.
-Boje o plak ‘i bllok kujtimesh t’shkrujn’ gjithë pjeshkat e klasës.

Boti

Përdoret në jug për “vizitor i huaj, i panjohur” për vendasit. Boti vjen nga botë, pra diçka e përgjithshme. Ndaj kjo fjalë është më asnjanëse se “i panjohur” e cila seç ka një sens negativ që ia jep parashtesa mohuese “pa”. Boti është përkufizim pozitiv, njeri i botës.

– Të kërkon llogari boti (të kërkon llogari tjetri,  pra mbetet përsëri anonim, i pashquar).
– Po vijnë dy botër (po vijnë dy vizitorë që nuk po i dalloj dot se kush janë).

Bythëqirë

Njeri të cilit nuk i zihet besë, që nuk e mban fjalën. Sinonim i laskar, legen. Gjendet i shkruar si bythqir ose me akronimin BQ.

– O ba çfarë domethënë bythëqirë?
– Po ja, të shpjegon babi, isha unë në burg, në qeli me Agimin, shokun e babit, e di ti. Edhe ç’të bënim o bab, filluam ta bënim me radhë. U ktheva unë edhe vazhdoi Gimçja, pastaj kur me erdhi mua radha, i thashë kthehu se e kam unë radhën. Jo, më tha. Ja ai, të keqen babi, është bythëqirë.

Bakabond

Fjalë që përdorej nga pensionistët, kryesisht nga aktivistët e Frontit Demokratik, në kohën e Partisë së Punës, në vend të “vagabond”. Tani përdoret me humor nga të rinjtë (viktimat e djeshme të fjalës “bakabond”).

– Ore bakabond, ç’ke që e ngacmon vajzën.

O llaçi bojs

Titull kënge e grupit “Ace of Bace”, që në origjinal është “All that she wants”. Kjo formë erdhi si pasojë e mosnjohjes së anglishtes në fillim të viteve ’90, kur kënga u dëgjua për herë të parë në Shqipëri. Ende përdoret edhe sot në radhët e njerëzve me njohuri të vakta në gjuhën angleze, por që e kanë qejf hitin e “Ace of Bace”.

Baxhellë

Sinonim i fjales “kurvë”. Origjina e kesaj fjale është e debatueshme. Disa thonë që vjen nga pusetat e hapura të Tiranës, e disa nga armët ushtarake, si p.sh.: tyta e Mortajës apo Antitanku.
Përdoret kryesisht kundrejt femrave për të vleresuar karakterin e tyre e gjithashtu për t’i rikujtuar të tjerëve numrin e madh të raporteve seksuale të femrës.

Kur përdoret në rastin e meshkujve është edhe më keq, është një mashkull pa karakter, që flet lart e poshtë, ta fut, nuk njeh shoqni e as burrni.

Babrrojs

Mbiemër me prejardhje krahinore. Lidhet me fshatin Babrru, dikur i ndodhur në bregun e djathtë të Lumit të Tiranës (lumi Tërkuzë), jashtë vijës së verdhë të kryeqytetit. Përcakton tipin e mashkullit garip, që s’ia përton kujtdo që i shkel në kallo. Babrrojsi ka ekzistuar para pellazgut (shih tek pellazg) dhe ishte personifikimi i forcës mashkullore të pakultivuar. Me kalimin e kohës dhe pas ndryshimeve demografike që pësoi qyteti i Tiranës, babrrojsit shitën tokat e tyre, u shpërngulën brenda vijës së verdhë dhe u asimiluan me popullsinë vendase, apo emigruan jashtë shtetit. Nga babrrojsi i dikurshëm sot ka mbetur vetëm emri, pasi edhe ura pasarelë, personifikimi i fshatit Babrru dhe i banorëve të tij, sot është zëvendësuar nga një urë e palëvizshme betoni.

Jeshtri boklla

Shprehje, e folme mbrapsht për “shtrije kabllin”. Veprim që zakonisht nënkupton triumfin e personit që thotë shprehjen dhe nënshtrimin e tjetrit, ku marrëdhënia seksuale është simboli i nënshtrimit. Tek shembulli: “Hajde kur e lamë, se jeshtri boklla pastaj”, kumtuesi kërkon t’i shpjegojë tjetrit se po u vonua, do t’i shtrijë kabllin. Në këtë rast “kablli” është organi seksual mashkullor. Haset edhe në fraza si:

– Po t’u prish menia, jeshtri boklla pastaj, s’kena llafe!

Por shprehja mund të marrë edhe në formën pësore, si tek: “Ho me, n’ça ore e lamë, apo ke fillu jeshtri boklla?” ose: “O ti, boll me jeshtri boklla, se na çave trapin!” Në këtë rast kumtuesi kërkon të thotë se tjetri ka filluar të mashtrojë, pra t’i shtrijë kabllin shokut duke mos u treguar korrekt.

Shënim: shprehja e ka zanafillën në kohën kur shqiptarët shtrinin kabllot e korrentit për të vjedhur energji elektrike direkt nga kabina apo nga telat e shtyllës dhe kur CEZ quhej ende NISh Elektriku.

Bythë

Kuptimi i parë janë të ndenjurat e dikujt, prapanica.

Përdoret edhe për të krahasuar një fytyrë të shëmtuar.

– E ka fytyrën si bythë!
 

Ose kur nuk ke mësuar asnjë fjalë, je tapë-topi.

– Goca unë sot kam ardhur bythë fare!
 

Kur je shumë i pirë, tapë.

– Plako, jam bythë fare!
 

Njësi matëse, kryesisht për të treguar sipërfaqe të vogël.

– Epo një bythë vend nuk bëhemi dot njerëz!
 – Shtyhu më bëj një bythë vend!

Bythë-bythë: si për të shpërfillur diçka që thotë një tjetër dhe nuk të intereson, pirdh-pirdh.

– Ta them unë që aq bën.
– Po, po, bythë-bythë e daj!