Zarife

Një lloj biondine, e cila ka një nga dhëmbët e parë të thyer. Përpiqet ta mbajë gojën mbyllur, sepse nuk ka ç’të thotë, por edhe sepse i mban erë goja. Sa herë merr kurajën të flasë, thotë fjalë e shprehje të mëdha, të cilave nuk ua di kuptimin.

 

Zdromse

Mbiemër. Femër e lënë pas dore, sinonim me zgardaballë. Ndryshe nga zgardaballa, zdromsja i ka të fituara vetitë që i japin këtë mbiemër, pasi është konsumuar, rënduar apo lodhur nga jeta, dhe nuk ka më forca mendore dhe fizike për të përfaqësuar një qenie njerëzore që kujdeset për vete (kjo për shkak edhe të paaftësive të theksuara të intelektit).

Zgardaballë

Emër që kryesisht përdoret për të etiketuar femrën e patinosur e të suvatuar, të lyer me të gjitha llojet e ngjyrave të mundshme, me qëllim për ta thyer pasqyrën me bukurinë e vet, por që, në fakt, arrin vetëm të theksojë dhuratat që nuk ia ka dhënë natyra. Tipike për zgardaballën është veshja ekstravagante në çdo orë të ditës, makijazhi që nuk mungon kurrë, këpucët me taka dhe me majë (mund të jenë edhe nr. 40), qerpikët falsë dhe bizhuteritë e stërmëdha, por të rreme. Në kohërat klasike zgardaballa paraqitej edhe me dhëmbë të nxirë apo të thyer, të cilët nuk i kishte parë kurrë syri i dentistit.

Përdoret edhe për të etiketuar mashkullin karrallo, shtremaluq e pak gallof.