O llaçi bojs

Titull kënge e grupit “Ace of Bace”, që në origjinal është “All that she wants”. Kjo formë erdhi si pasojë e mosnjohjes së anglishtes në fillim të viteve ’90, kur kënga u dëgjua për herë të parë në Shqipëri. Ende përdoret edhe sot në radhët e njerëzve me njohuri të vakta në gjuhën angleze, por që e kanë qejf hitin e “Ace of Bace”.

Gjitholog

Personi që e gënjen mendja se di gjithçka, ka kompetencë të flasë për të gjitha gjërat e temat e mundshme të kësaj dynjaje. Gjithologu kujton se di të flasë nga shumimi i breshkave e deri te lufta e gjirit persik, nga faturat e CEZ-it e deri te shqiptarët që luftojnë në Siri, nga “pse i vari Ishja brekët ashtu” e deri te “vallë a do e marrë Kadare Nobelin”.

Shënim. Shqipëria ka nxjerrë e vazhdon të nxjerrë mjaft bijë e bija gjithologe.