Flas

1-Në gjuhën e bixhozit përdoret për të treguar kush ka rradhën apo kush është i detyruar, i sfiduar të vazhdojë lojën.

-Hajde foli nji çik asit ktu! Si zonjat t’m’i flasësh!

2-Rrëkëllej gotën ose provoj një ushqim, pije, etj.

– Foli pak mezes foli, se ka shkri talentin kulinar Lakja sot!
-Ka shkri kët timin, konserva ka hap!

3-Në bixhoz, sidomos kur luan ortakshe, kur thua diçka ose bën shenjë për t’i lënë ortakut të kuptoj se ku duhet të luajë.

-Nuk e kishim kshu, mos e fol lojën.

Rrush

1) Eufemizëm për organin mashkullor tek të miturit.

-Hiqi durët nga rrushi, se është turp, të keqen tezja!

2) Shprehje afeksioni, shpesh dhe ironie, me konotacione ushqimore dhe erotike njëherësh.
Kur shpreh afeksion, referimi bëhet direkt për frutin, kurse në rastin ironik referenca i shkon direkt organit mashkullor.

-Ku e paske kap kët parfumin rrusho, na e boni mishin kokërr!
-Prap e paske harru PIN-in rrushi?

Polic dalboje

Me këtë emër quhej me tallje inspektori i policisë rrugore, që nga mesi i viteve ’80, për shkak të ngjyrës së uniformës së tij ngjyrëvjollcë të çelët – çka dukej si një variant i zbehur i uniformës së pjesës tjetër të efektivave të policisë popullore.

-Çar pune ka pas bo plaku?
– Me trafikun, ke parasysh, polic dalboje.
-Aaa, tashi e kuptova kujt i paske ngja kaq ezmere!

Lopthi

“Si lopët”. Përshkruan një lloj pozicionimi seksual, tipik për botën e kafshëve, gjatë të cilit pala penetruese realizohet përmes mbështetjes, me ose pa duar, nga pas palës së penetruar, teksa kjo mbështetet me katër gjymtyrët mbi një platformë çfarëdo. Ndonëse prehistorike si teknikë, si fjalë është dokumentuar të paktën që gjatë viteve ’80, kryesisht si shprehje e shovinizmit mashkullor.

– Ta ngop njëherë lopthi atë!